Çka është neoliberalizmi?

Arbër Zaimi

Si fillim është premtimi se secili do jetojë jetën e do bëjë qejfin e vet, nëse çlirohet prej filozofive të bezdisshme të së majtës, prej përgjegjësive shoqërore, prej detyrimeve komunitare. Rendje pas kënaqësisë, mirëpo pas kënaqësisë fajtore, jo pas asaj përmbushëse. Çlirim prej filozofisë, prej nevojës për të qenë të thellë e seriozë, prej marrjes së kohës së duhur për t’i shoshitur gjërat para se të ndërmerren hapat. “Mos ma humb kohën” – parrullë e secilit, që kohën e shkon aq kot sa as vetë nuk e mban mend se ç’ka bërë. Individualizëm or’vëlla, ç’punë ke ti se çfarë bëj unë.

Si vazhdim është hedhje e fajit te politika kur e sheh se premtimi për qejf përmes individualizmit nuk realizohet. Të ulen rrogat e politikanëve. Të mos paguhen fare mundësisht. Të kemi sa më pak ministri, sa më pak komuna e bashki, sa më pak deputetë. Ata e kanë fajin që neve s’kemi… Mandej zvogëlim i publikes. Më pak shkolla, më pak klinika… më pak fonde për artistët. Çdo para publike që çohet diku duket e pamerituar, sepse populli nuk po bën qejf siç na u premtua, përkundrazi po varfërohet. Por askush nuk kërkon të taksohen korporatat, oligarkët, miliarderët, që të rikthehet zhvillimi. Kërkohet vetëm zvogëlimi i publikes, se ajo e ka fajin.

Si përfundim është mbetje në mëshirë të korporatave, të cilat prej dy shekujsh përpiqen të arrijnë një dobësim të tillë të shtetit, e kurrë nuk e kishin menduar se do ta arrinin me duart e vetë popullit. Aty pastaj, në mëshirë të korporatave, masat reduktohen në amorfe, degradohen kulturalisht, konsumatorë obsesivë që ngjyra e ambalazheve e reklamave dhe renditja në rafte supermarketesh u tregon se ç’duhet të blejnë. Kësisoj zbresin në atë stad papjekurie, sa që presin ndonjë Mehdi a Mesi, flokëzjarrtë, që t’i shpëtojë prej korporatave chip-mbjellëse.

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

33 thoughts on “Çka është neoliberalizmi?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *