QYTETI I SHKUPIT: NË 193 RAPORTONI ZJARRE NË AMBIENT TË HAPUR, VAZHDON LUFTA KUNDËR NDOTJES SË AJRIT

Në fillim të vjeshtës pothuajse një muaj para fillimit të sezonit të ngrohjes, Qyteti i Shkupit vazhdon me fushatën për raportimin e zjarreve në ambient të hapur në linjën telefonike falas 193. Kjo fushatë, e cila ka një rol të rëndësishëm në zvogëlimin e ndotjes së ajrit në Shkup, realizohet për herë të katërt dhe ka treguar rezultate të shkëlqyeshme.

– E dimë që ndezja e zjarreve në ambient të hapur më së shpeshti është pasojë e neglizhencës së një numri të caktuar të qytetarëve, por ajo shpesh herë është edhe mënyra e vetme për t’u ngrohur në ditët e ftohta të dimrit të bashkëqytetarëve tanë që nuk kanë strehim adekuat. Ajo që paraqet problem shtesë është se në raste të tilla këta njerëz zakonisht djegin plastikë, goma, dru me kualitet të dobët dhe gjëra të tjera që kontribuojnë shumë në ndotjen e ajrit. Për të katërtin vit radhazi, po i qasemi këtij problemi me përgjegjësi. Ua shtrijmë dorën të gjithë bashkëqytetarëve tanë. Të gjithë së bashku mund të parandalojmë zjarret në ambient të hapur, duke ulur kështu ndotjen e ajrit. Por njëkohësisht kujdesemi që t’ ju ndihmojmë atyre që kanë më së shumti nevojë për ndihmë. Qyteti i Shkupit përmes inspektoratit të saj dhe Njësisë së Zjarrfikësve, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Ministrinë e Brendshme dhe Kryqin e Kuq organizon ekipe të përziera që punojnë çdo ditë, 24 orë, në luftën kundër zjarreve në ambient të hapur – tha kryetari Petre Shilegov.
Vetëm gjatë këtij viti, deri më tani në numrin e telefonit 193 janë raportuar 49 zjarre në ambient të hapur. Në vitin 2019, u raportuan 162 zjarre në ambient të hapur, në vitin 2018 – 251, kurse në vitin 2017, kur filloi kjo fushatë, për më pak se një muaj u paraqitën 54 zjarre në ambient të hapur.

– Për këto arsye, përsëri u bëjmë thirrje qytetarëve që të përfshihen aktivisht në luftën kundër ndotjes së ajrit dhe të raportojnë të gjitha rastet e zjarreve në ambient të hapur në qendrën tonë, në numrin e telefonit 193. Këtu dua të theksoj se raportimi përmes telefonit në numrin 193 është më i shpejti dhe më efikasi për raportim. Ky është numri i zjarrfikësve i cili është shërbimi i vetëm që ka një sistem të shpejtë dhe të kontrolluar të përgjigjes dhe vendos të gjitha shërbimet e nevojshme në mënyrë që ekipet e përziera të jenë në terren në kohë. Ekipet e shërbimit do të procesojnë të gjitha raportet, d.m.th zjarret do të shuhen, dhe bashkëqytetarët tanë që ndezin zjarret për ngrohje do të dërgohen në një nga strehimoret. Prandaj, në vend që të postojnë në Facebook ose në rrjete të tjera sociale, u bëjmë thirrje qytetarëve që të paraqiten drejtpërdrejtë në numrin e telefonit 193. Natyra e kësaj pune është e tillë që ekipet mund të punojnë në mënyrë efektive vetëm nëse përgjigjen shpejt në mënyrën e vetme të verifikuar, që është thirrja telefonike në 193. Çdo gjë tjetër është humbje e panevojshme e kohës – theksoi Shilegov.

Kjo fushatë, së bashku me fushatën për parandalimin e djegies së stërnishtave, gjegjësisht mbetjeve të të korrave dhe subvencionet për pastrimin e oxhaqeve në amvisëri janë disa nga fushatat më të rëndësishme të Qytetit të Shkupit për ngritjen e vetëdijes në luftën kundër ndotjes së ajrit.

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

One thought on “QYTETI I SHKUPIT: NË 193 RAPORTONI ZJARRE NË AMBIENT TË HAPUR, VAZHDON LUFTA KUNDËR NDOTJES SË AJRIT

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *