Trump përmend fletëvotimet e pavlefshme si provë për manipulime të mundshme në zgjedhje

Presidenti i SHBA Donald Trump vazhdon të hedhë dyshime mbi integritetin e zgjedhjeve, duke shprehur shqetësim për mashtrim të mundshëm me fletëvotimet postare, një skenar që shumë zyrtarë thonë se po zmadhohet së tepërmi.

“Duam të sigurohemi që zgjedhjet do të jenë të ndershme dhe unë nuk jam i sigurt se mund të jenë”, u tha Presidenti Trump gazetarëve të enjten në Shtëpinë e Bardhë para se të hipte në helikopterin “Marine One” për të shkuar në Karolinën e Veriut dhe në Florida.

Presidenti Trump tha se “shumë fletëvotime u gjetën në një lumë” dhe ato me emrin Trump “u hodhën në një shportë mbeturinash”.

Një numër i vogël i fletëvotimesh të dërguara me postë nga ushtarakë u hodhën poshtë dhe nëntë prej tyre janë gjetur, në kuadrin e një hetimi, sipas zyrës së Prokurorit në Middle District të Pensilvanisë.

“Disa prej atyre fletëvotimesh mund t’u atribuohen votuesve konkretë ndërsa disa të tjera jo”, tha Departamenti i Drejtësisë në një deklaratë. “Të nëntë fletëvotimet ishin hedhur për kandidatin presidencial Donald Trump,” sipas Departamentit.

Historikisht, vendi nuk ka parë “asnjë lloj përpjekje të koordinuar në shkallë kombëtare për mashtrim në një zgjedhje të madhe, qoftë me postë apo ndryshe,” tha Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit Christopher Wray të enjten para një komisioni të Senatit.

Zoti Wray tha se do të ishte një sfidë e madhe që një kundërshtar të mashtronte në shkallë të gjerë,“por njerëzit nuk duhet të jenë vigjilentë ndaj kërcënimit dhe ta vëzhgojnë atë me kujdes pasi jemi në një territor të paeksploruar.”

Zyrtarë republikanë theksojnë rëndësinë e tranzicionit paqësor

Zyrtarë kryesorë republikanë theksuan rëndësinë e një tranzicioni paqësor të pushtetit në Shtetet e Bashkuara, një ditë pasi Presidenti Donald Trump refuzoi të angazhohet për një premtim të tillë, në rast se ai humbet përballë kandidatit demokrat Joe Biden.

“Do të duhet të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha presidenti në përgjigje të pyetjes së një gazetari gjatë një konference për shtyp të Shtëpisë së Bardhë të mërkurën në mbrëmje. “Unë jam ankuar me shumë forcë për fletëvotimet dhe ato janë një katastrofë”.

Pa paraqitur asnjë provë, Presidenti Trump ka folur vazhdimisht për manipulime masive falë dhjetëra miliona fletëvotimeve të dërguara nëpërmjet postës, sistem të cilin demokratët e kanë inkurajuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Ne duam të kemi – t’i heqim fletët e votimit”,vazhdoi presidenti, duke shpjeguar se nëse do të krijohej një situatë e tillë “nuk do të ketë një transferim, sinqerisht; do të ketë një vazhdimësi”.

Kreu i shumicës në Senat, Mitch McConnell, shkruajti të enjten në Twitter se “Fituesi i zgjedhjeve të 3 nëntorit do të inaugurohet në 20 janar. Do të ketë një tranzicion të rregullt ashtu siç ka qenë për çdo katër vite që nga 1792”.

Senatori i Floridas, Marco Rubio, tha se “në mesditën e 20 janarit 2021, ne do të bëjmë paqësisht betimin e Presidentit”.

Ligjvënësja Liz Cheney tha të enjten në Twitter se “transferimi paqësor i pushtetit është i mishëruar në Kushtetutën tonë dhe thelbësor për mbijetesën e Republikës tonë”.

Senatori i hershëm republikan Lindsay Graham i tha emisionit “Fox and Friends” se “nëse republikanët humbin, ne do të pranojmë rezultatin”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany u pyet të enjten nga gazetarët gjatë konferencës për shtyp dhe u shpreh se “presidenti do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

Rivali demokrat i Presidentit Trump, Joe Biden, gjithashtu reagoi të mërkurën ndaj komenteve të Presidentit Trump.

“Në cilin vend jemi? Po e them me humor”, tha ish-nënpresidenti. “Thashë, në cilin vend jemi? Shikoni, ai thotë gjërat më të palogjikshme. Nuk di çfarë të them”. Voa/ 

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *