Cilat janë ndryshimet e propozuara për vizat amerikane?

UASHINGTON – Administrata Trump ka propozuar të eliminojë “kohëzgjatjen e statusit” për vizat për studentët ndërkombëtarë, vizitorët e programeve të shkëmbimit dhe ata që punojnë në mediat ndërkombëtare. Zyrtarët shpresojnë të vendosin data fikse të përfundimit, në vend që të lejojnë që vizat të jenë të vlefshme për aq kohë sa u duhen atyre për të marrë diplomën ose për të përfunduar një projekt kërkimor.

 

Aktualisht, një mbajtës i një vize F-1 mund të qëndrojë në vend derisa studenti të përfundojë një program studimi ose nëse studenti vazhdon të plotësojë kërkesat e programit.

 

Rregullorja e propozuar, prej 256 faqesh, e publikuar të enjten nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (DHS), do të përcaktonte datat e skadimit 4-vjeçar dhe do të ofronte dy vite për ata që marrin trajnim gjuhësor, me hapësira të kufizuara për të aplikuar për një zgjatje.

 

Si përcaktohet aktualisht “kohëzgjatja e statusit”?

 

“Kohëzgjatja e statusit” do të thotë që në vend të një afati të caktuar, një studenti ndërkombëtar i lejohet të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara për aq kohë sa i duhet për të marrë diplomën, për sa kohë që regjistrohet me kohë të plotë në kurset mësimore dhe nuk shkel ligjin e emigracionit, për shembull duke punuar në mënyrë të paligjshme.

 

Kush preket nga udhëzimi i propozuar?

 

Rregulli do të ndikonte në mbajtësit e vizave në kategoritë F, J dhe I të cilët lejohen të jetojnë përkohësisht në SH.B.A. për të fituar një diplomë të arsimit të lartë, individë me aftësi unike, të cilët janë të aprovuar të marrin pjesë në programe shkëmbimi vizitorësh të bazuar në punë dhe studim, si dhe gazetarë të huaj.

 

Sipas DHS, shtetasit nga vendet e lidhura me norma të larta të shkeljes së afatit të qëndrimit të vizave – më shumë se 10% – pritet të kenë një periudhë të kufizuar qëndrimi fikse dy-vjeçare.

 

Vendasit ose shtetasit e vendeve në Listën e Sponsorëve të Terrorizmit të Departamentit të Shtetit gjithashtu do të kufizohen në 2 vjet qëndrimi në SH.B.A.

 

Çfarë thotë DHS?

 

DHS (Departamenti i Sigurisë Kombëtare) tha se politika aktuale e kohëzgjatjes së statusit dhe “rritja e konsiderueshme” e numrit të studentëve me viza F, vizitorëve të shkëmbimit me viza J, dhe përfaqësues të mediave të huaja me viza I, paraqesin “një sfidë për aftësinë e Departamentit për të monitoruar dhe mbikëqyrur në mënyrë efikase këto kategori të jo-emigrantëve”.

 

DHS shton se, “Departamenti në përputhje me rrethanat është i shqetësuar për integritetin e programeve dhe një potencial për rritje të rrezikut për sigurinë kombëtare”.

 

Botimi në internet “Inside Higher Ed” raporton një rënie prej 15 përqind të regjistrimit të përgjithshëm të studentëve në vitin akademik 2020-2021, duke përfshirë një rënie prej 25% të regjistrimit të studentëve ndërkombëtarë. Gjetjet mund të nënkuptojnë një humbje prej 23 miliardë dollarësh në të ardhura për ekonominë amerikane. Voa/

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *