Kreu i BDI-së në Prokurori për rastin Regjistrimi

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, sot në orën 10 do të merret në pyetje për lëndën “Regjistrimi” ku ai dhe ish-partneri i tij qeverisës, Nikolla Gruevski, janë të dyshuar për ndërprerje të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011.

TV21 mëson se Ahmeti në pyetje do të merret nga prokurorja Fatime Fetai në ndërtesën ku dikur ishte Prokuroria Speciale në Shkup.

Lëndën “Regjistrimi” e ka hapur Prokuroria Publike Speciale, që tashmë nuk ekziston si institucion, por lëndët, bashkë me prokurorët e speciales, janë transferuar në prokurorinë e rregullt.

Dyshimet në këtë lëndë janë se Ahmeti dhe Gruevski si kryetarë të dy partive atë kohë në pushtet, kanë bërë marrëveshje për ndërprerje të regjistrimit të popullsisë. Sipas lëndës ka dyshime të bazuara se ata e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Atë kohë Gruevski ishte kryeministër, ndërsa Ahmeti deputet, pa ndonjë funksion shtetëror./TV21

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *