Posta” Qeveria me nismë për privatizim ose partneritet publiko-privat

Posta e Maqedonisë do të privatizohet ose do të bëhet me partneritet publiko-privat. Qeveria ka ndërmarrë nismë për studim të fizibilitetit, që më tej të vazhdohet me procesin e liberalizimit të shërbimeve postare në përputhje me rregullativën e BE-së. Kryeministri Zoran Zaev thotë se plot institucione publike nuk po arrijnë të konkurrojnë në treg.

Kjo sepse shteti duhet në vazhdimësi, në muaj, në 3-muaj, në gjysmëvit të subvencionojë, pra nuk po munden të luftojnë të vetme në treg, duhet që hapur të futemi në tregjet ndërkombëtare”, deklaroi Zoran Zaev – Kryeministër.

E zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, i obliguar për ta çuar përpara këtë proces, thotë se një prej arsyeve se pse po kërkohet model për funksionimin e mëtejshëm të postës është edhe presioni nga Bashkimi Evropian për liberalizim të tregut të postave.

Ne vite me radhë e kemi shtyrë procesin e liberalizimit, duke konsideruar se kjo do të jetë vlerë e shtuar për institucionin, por u tregua se as ky model nuk funksionon dhe vlerësoj se është koha e fundit të shihet se cili është modeli më i mirë”, theksoi Fatmir Bytyqi – zv/kryeministër.

Ende nuk dihet nëse Posta do të privatizohet tërësisht, apo do të jetë me partneritet publiko-privat. Kjo do të merret vesh pas studimit të fizibilitetit, të cilin Bytyqi pret të përfundojë deri në fund të vitit. E pavarësisht kësaj, shton se funksionimi i postës nuk është në pikëpyetje dhe se të punësuarit do të vazhdojnë të jenë aty.

“Unë do t’i inkurajoja që të vazhdojnë të punojnë edhe me më produktivitet dhe efikasitet”, u shpreh zv/kryeministri Fatmir Bytyqi.

Me vite Posta është në gjendje të vështirë financiare. Raporti i fundit i Entit për Revizion tregoi se nga 2012-ta posta punon me humbje në vlerë prej rreth 10 milionë eurove. Kriza që solli pandemia, e më pas falimentimi i Bankës Eurostandard, e fundosi edhe më shumë, duke i bllokuar transaksionet bankare.

 “Kjo do të thotë minus 110 milion denarë në muaj më pak të hyra në postën e Maqedonisë së Veriut që është një goditje jashtëzakonisht shumë më e madhe”, potencoi Ejup Rustemi – Drejtor gjeneral i Postës.

Në shtator Qeveria dha pëlqim që Posta të kërkojë bankë të re, por kjo gjë nuk ndodhi. Zëvendëskryeministri Bytyqi falimentimin e Bankës Eurostandard nuk e lidh me ndryshimin e modelit të funksionimit të Postës, por thotë deri më tani Posta ka punuar me model që më shumë u është përgjigjur kërkesave të partive.

“Dhe ajo që e kemi thënë shumë herë, tregohet se shteti nuk është menaxhues i mirë i ndërmarrjeve publike”, u shpreh Fatmir Bytyqi – zv/kryeministër.

Po a do të përgjigjet dikush për keqmenaxhim dhe prurjen e Postës deri në këtë gjendje? Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike thotë se për këtë nuk duhet të japë përgjigje Qeveria, por Prokuroria, që do të duhej të ndërmerr masa. Tv21/

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *