As gjuha maqedonase, e as Goce Dellçevi nuk i pengojnë negociatat mes Bullgarisë dhe Maqedonisë thekson Asani

As gjuha maqedonase, e as Goce Dellçevi nuk i pengojnë negociatat mes Bullgarisë dhe Maqedonisë. Problemi më i madh është periudha e Luftës së Dytë Botërore, kur Bullgaria e Madhe e atëhershme i dëboi hebrenjtë nga Shkupi në kampin Treblinka. Bullgaria kërkon që Maqedonia të marrë përsipër përgjegjësinë për këtë, konsideron historiani Skender Asani.

“Kontesti kryesor mes Maqedonisë dhe Bullgarisë është periudha e Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht dëbimi i 7 mijë e 189 hebrenjve prej Shkupit drejt Treblinkës. Holokausti? Po. Pse? Në Luftën e Dytë Botërore ka qenë Bullgaria e Madhe dhe Shkupi ka qenë nën pushtimin bullgar”, u shpreh Skender Asani – historian.

Komisioni maqedono-bullgar është gabim i madh, sepse vetëm politika mund të sjellë vendime, thotë Asani, duke shtuar se zgjidhja e vetme është hapja e zyrave të përhershme në Sofje dhe Shkup.

“Që në fillim është bërë problem dhe tash ne i shohim ato vijat e kuqe të dy delegacioneve të cilat për momentin nuk shihet ndonjë zgjidhje e duhur. Unë këtu vetëm shoh se politika mund ta zgjidhë këtë”, tha historiani Skender Asani.

Disa historianë shqiptarë janë skeptikë se komisioni mes dy vendeve mund të arrijë ndonjë zgjidhje për çështjet historike. Prandaj, propozuan që në komisionin të marrin pjesë edhe historianë shqiptarë. VMRO-DPMNE me akuzat e njëjta – se kryeministri Zaev bën tregti edhe me Goce Dellçevin, edhe me gjuhën maqedonase.

“Shihni, në këtë periudhë nevojitet një ofensivë e fortë diplomatike. Shteti, pushteti, qeveria e cila në fakt mori besimin për t’i mbrojtur interesat kombëtarë maqedonas, duhet ta bëjë këtë, e jo siç bën tani. Pra, ky pushtet në vend që të fshihet pas çështjeve të tilla, duhet të dalë dhe ta thotë këtë publikisht – nëse Goce Dellçevi është maqedonas dhe nëse gjuha maqedonase është gjuhë maqedonase”, potencoi Vllado Misajllovski nga VMRO-DPMNE.

Nga LSDM-ja thonë se marrëdhëniet me Bullgarinë po ndërtohen në frymë të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë, kurse temat e hapura i zgjidhin komisionet.

“Presim që në frymën e kësaj marrëveshjeje të vazhdojmë t’i ndërtojmë marrëdhëniet së bashku dhe të dyja vendet të mbështeten mes vete. Për temat që janë diskutuar në periudhën e kaluar dhe që dalin nga Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë, ne shprehim vullnet për t’i zgjidhur ato përmes punës së komisioneve, të cilat konsideroj se janë kompetente për t’i zgjidhur këto çështje”, theksoi Marija Georgievska nga LSDM.

Nën titullin “Bullgari-Maqedonia e Veriut: grindje gjuhësore” gazeta parisiane“La Kroa” shkroi se Sofja mund të vazhdonte me bllokadën e saj, por pjesërisht edhe bën blofe, sepse, siç është nënvizuar, ajo nuk do të fitonte shumëçka duke kundërshtuar partnerët e saj evropianë për hapjen e bisedimeve aderuese. Kryeministri Zoran Zaev në fillim të muajit që vjen do të udhëtojë për Sofje ku do të takohet me homologun e tij Bojko Borisov, në kuadër të bashkë-kryesimit maqedono-bullgar të Procesit të Berlinit 2020. Tv21/

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *