Klinikat interne të gatshme për pacientë me Covid, janë hospitalizuar rreth 700 pacientë

Rreth 700 pacientë janë hospitalizuar në repartet infektive në shtet. Janë të gatshme edhe klinikat interne për pranim të pacientëve.

Me marrëveshje interne, një pjesë e mjekëve nga të gjitha klinikat interne do ta bëjnë punën e zakonshme në repartet e tyre interniste, ndërsa të tjerët janë kyçyr në punë dhe trajtim të pacientëve me kovid-19, informoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Lidhur me trajtimin e pacientëve në “8 Shtatori”, ai me përgjegjësi pohon se për ata që janë në respirator çdoherë janë të pranishëm ose konsultohen anesteziologë, të cilët janë ekspertë që mund të shtrojnë pacientë në makinë dhe t’i rregullojnë parametrat dhe se edhe para Kovid-19 kanë pasur përvoja të tilla. Por tani presioni është më i madh për një intervenim të tillë sepse kjo sëmundje, tha Filipçe, në formë më të rëndë i prek mushkëritë dhe është e nevojshme mbështetje mekanike.

Edhe në këtë spital, shtoi ministri, të gjithë mjekët janë të mobilizuar, por për veprimtari të tjera dhe që të mos krijohen lista të pritjes, specialistët (kirurgë, ortopedë, neurologë) punojnë në fushat e tyre dhe prandaj nuk janë, siç tha, tekstualisht të gjithë të angazhuar për trajtimin e pacientëve me kovid-19.

Ministri kumtoi se deri në fund të vitit pritet të vendosen dy deri në tre spitale montuese, por për shkak të bllokadës nga opozita, siç tha, është e mundur ato të mos arrijnë sipas planit fillestar – të vendosen 16 qendra për kovid në afërsi të spitaleve.

“Por, ne kemi bërë plan rezerv dhe pikërisht ai tani po aktivizohet. Ato janë këto kapacitete rezervë në Klinikat interne dhe kapacitetet tërësisht të gatshme shtesë në spitalin ‘8 Shtatori’. Kemi plan, menaxhohet edhe me kuadër, edhe me repartet tjera, prej ku një pjesë e programit po zvogëlohet”, tha ministri.

Ai pret që edhe masat, të cilat janë vendosur para dy javëve, pas 14 ditëve të japin rezultate dhe po ashtu pret që numri i të sapodiagnostikuarve të ulet.

Lidhur me testet, Filipçe tha se cilësia e tyre është e garanatuar.

Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se numrat po ndryshohen nga çasti në çast, sipas pranimeve të bëra dhe çrregjistrimeve të pacientëve.

Prej aty potencojnë se të gjitha repartet në spitalet klinike disponojnë me vende spitalore, deri ku ka qasje me oksigjen.

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 1.168 raste të reja me Kovid-19, ndërsa 18 persona kanë vdekur, janë bërë 3353 teste, ndërsa 692 wpersona janë shëruar.

Nga 18 personat e vdekur, pesë pacientë janë nga Shkupi (61, 67, 69, 77 dhe 84), dy nga Kumanova (66 dhe 80), një pacient nga Shtipi (54), një nga Tetova (73), dy nga Manastiri (73 dhe 82), një nga Ohri (84), katër pacientë nga Gostivari (66, 76, 78 dhe 78), një nga Strumica (55) dhe një pacient nga Kratova (74). Të gjithë kanë vdekur në kushte spitalore, përveç njërit prej tyre.

Gjithsej numri i të diagnostikuarve me Kovid-19 në vendin tonë, që nga fillimi i epidemisë arrin në 46.062, numri i pacientëve të shëruar është 26.981, të vdekurve 1.281, ndërsa numri i rasteve aktive në vend është 17.800.

Në Shkup është numri më i madh i rasteve aktive – 8254, pastaj vijon Tetova me 1051, Prilepi – 878, Kumanova – 821, Velesi – 742, Manastiri – 669, Strumica – 641, Gostivari – 526. Në qytetet tjera numri është nën 500.

Në Shkup, më së shumti raste aktive janë në Aerodrom – 1256, pastaj vijon Gazi Baba – 1151, Karposhi – 1070, Qendra – 1028, Kisella Voda – 1021, Gjorçe Petrovi – 680, Çairi – 500, Buteli – 430. Në komunat tjera numri është nën 150.

Gjatë 24 orëve të fundit në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, lidhur me masën për mosmbajtjen  e maskës, janë regjistruar 692 kundërvajtje.

Ministria e Punëve të Brendshme apelon tek qytetarët që t’i respektojnë masat dhe protokollet e sjella nga Qeveria me qëllim të përballjes me Kovid-19. Tv21/

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

2 thoughts on “Klinikat interne të gatshme për pacientë me Covid, janë hospitalizuar rreth 700 pacientë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *