Zaev: Jo larg marrëveshjes me Bullgarinë

Për herë të parë gjatë javëve të fundit, kryeministri Zaev theksoi se Shkupi e Sofja nuk janë larg marrëveshjes. Zaev u shpreh optimist se palët mund t’i kapërcejnë dallimet deri në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Përgjithshëm të BE-së e cila pritet të mbahet në dhjetor. Ai nuk përjashton mundësinë edhe të një takimi me kolegun e tij bullgar, Borisov.

Ne nuk jemi larg arritjes së marrëveshjes, vetëm duhet të kemi vullnet, të shohim pozitivisht dhe ta kemi të ardhmen të projektuar para nesh. Besoj se kjo është e mundur të ndodhë deri në mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm, më 8, 9 apo 10 dhjetor, apo kurdo që të jetë, një takim edhe mes meje dhe Borisovit- deklaroi Zoran Zaev.

Kryeministri bullgar, Borisov tha se vendi i tij gjithnjë ka qenë i gatshëm për dialog. “Bullgaria gjithnjë ka qenë e gatshme për dialog dhe mirëkuptim në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe me Republikën e Maqedonisë së Veriut, por kjo duhet të dëshirohet dhe zbatohet nga të dy anët” është shprehur Borisov në takim me euro-ambasadorët.

Ndërkohë opozita maqedonase insiston për përgjegjësi nga Qeveria për veton bullgare. Në partinë e Mickovskit thonë se pas dështimit dhe gënjeshtrave për fillimin e negociatave me BE-në dhe tregtisë me identitetin maqedonas, Zaev e ka humbur legjitimitetin për të qeverisur me vendin.

“Ai luajti bixhoz me interesat shtetërore, identitetin dhe popullit. Luajti “All in” dhe humbi. Pyesim cilët janë ato koncesione? A është e vërtetë se Zaev iu ka premtuar disa njerëzve të caktuar se në rrugën drejt BE-së, si pjesë e çmimit për ta fituar mbështetjen e Qeverisë bullgare do të jetë edhe shitja direkte e aksioneve shtetërore në Institucione shtetërore, të cilat duhet të kalojnë në kapital të biznesmenëve bullgarë, aksione për të cilat paralajmëroi shitje publikisht Qeveria Zaev?’ pohoi Dimçe Arsovski, VMRO DPMNE.

Nisjen e bisedimeve me BE-në, Sofja e kushtëzon me respektimin e formulimit të gjuhës në përputhje me Marrëveshjen 2017-tës, me udhërrëfyes preciz për zbatimin e marrëveshjes dhe heqje dorë nga pretendimet për pakicë maqedonase në Bullgari. alsat/

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

One thought on “Zaev: Jo larg marrëveshjes me Bullgarinë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *