OKB-ja kërkon 35 miliardë dollarë fonde asistence për vitin 2021

Kombet e Bashkuara bënë thirrje të martën për një mbështetje financiare në nivelin rekord prej 35 miliardë dollarësh për t’u dhënë mbështetje humanitare 160 milionë njerëzve, ndërsa pasojat ekonomike nga pandemia e koronavirusit i ka shtrënguar miliona njerëz drejt varfërisë ekstreme në mbarë botën.

“Konflikti, ndryshimet klimatike dhe COVID-19 kanë krijuar sfidën më të madhe humanitare që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në një mesazh të regjistruar.

Ai u bëri thirrje donatorëve të ndihmojnë njerëzit që rrezikohen më shumë “në orën më të errët të nevojës së tyre”.

OKB-ja thotë se nevojat reale janë edhe më të larta. Rreth 235 milionë njerëz, ose një në çdo 33 persona në planet, kërkon ndihmë ose mbrojtje. Kjo është një rritje me 40% gjatë vitit 2020.

Ka mbi 63 milionë raste të konfirmuara në mbarë botën me COVID-19, sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, i cili ka regjistruar rastet e pandemisë që në fillimet e saj. Gati 1.5 milion njerëz kanë vdekur dhe dhjetëra milionë të tjerë kanë humbur vendet e punës dhe mjetet për të siguruar jetesën gjatë masave të izolimit të imponuara për të ndalur përhapjen e virusit.

“Nuk është vetë sëmundja, megjithëse është shumë e hidhur…, ajo që po dëmton njerëzit në vendet e prekshme. Është ndikimi ekonomik”, u tha gazetarëve drejtuesi i operacioneve humanitare të OKB-së, Mark Lowcock. “Rritja e çmimit të ushqimeve, rënia e të ardhurave, rënia e kursimeve, ndërprerja e programeve të vaksinave, mbyllja e shkollave – godasin më të varfërit në vendet më të varfëra”.

OKB-ja ka paralajmëruar tashmë për nivele në rritje të urisë në shtatë vende, që mund të çojnë në zi buke vitin tjetër, nëse nuk ofrohet asistencë. Këto vende janë Afganistani, Burkina Faso, Republika Demokratike e Kongos, Etiopia, Nigeria, Sudani Jugor dhe Jemeni. Dy javë më parë, OKB-ja shpërndau 100 milionë dollarë nga një fond emergjence, në përpjekje për t’i paraprirë përkeqësimit të mëtejshëm./alsatm

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *