Shqipëria e hapi spitalin e katërt për Kovid

Për shkak të trendit në rritje të numrit të të infektuarve me Kovid-19, veçanërisht atyre që kanë nevojë për trajtim spitalor, autoritetet shqiptare kanë hapur spitalin e katërt Kovid, ku janë hospitalizuar pacientët e parë.

“Ne hapëm spitalin Kovid-4 pas punës intensive në ditët e kaluara. Mbulimi i katër spitaleve është pjesë e strategjisë sonë. Kjo ndodhi si rezultat i rritjes së numrit të pacientëve dhe plotësimit të kapaciteteve në tre spitalet e tjera. Kjo është një strukturë e qëndrueshme që vihet në shërbim të qytetarëve”, tha Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në një video që e postoi në rrjetet sociale.

Në këtë spital janë në dispozicion 100 shtretër dhe pas hapjes së tij, sipas ministres, po përgatiten për skenarë të tjerë për lehtësimin e sistemit shëndetësor dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

“Jemi duke punuar në hapjen e qendrave kovid në spitalet rajonale, si pjesë e planit nga vetë fillimi, për përballjen me periudhën vjeshtë-dimër. Me përkushtimin e stafit mjekësor, me durimin dhe solidaritetin e të gjithëve, së bashku do ta fitojmë këtë luftë me armikun e padukshëm”, tha ministrja.

Tre spitalet kovid, gjegjësisht Klinika e Sëmundjeve Infektive, spitali “Shefqet Ndroqi” dhe ai në ish departamentin kirurgjikal në Klinikën Universitare “Nënë Tereza”, kanë 500 shtretër spitalorë.

Kohët e fundit, numri i njerëzve të infektuar është në rritje të vazhdueshme dhe i atyre që kanë nevojë për trajtim spitalor.

Mjekët e përfshirë drejtpërdrejt në trajtimin e pacientëve me kovid kërkuan hapjen e një spitali të katërt sepse, siç pohonin, “pacientët në një formë të rëndë të sëmundjes qëndrojnë në ambulanca, ku u jepet shërbimi i nevojshëm, derisa të lirohet një shtrat në spitale”.

Në dhjetë ditët e fundit, varësisht nga numri i testeve të kryera, virusi i rrezikshëm është diagnostikuar tek 545 deri në 835, por përqindja është konstante 30 për qind e personave të testuar.

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

151 thoughts on “Shqipëria e hapi spitalin e katërt për Kovid

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *