Sulm i sofistikuar kibernetik ndaj procesit të vaksinave

BOSTON – Ekspertët e sigurisë së kompanisë IBM thonë se kanë diktuar një përpjekje spiunazhi kibernetik që shfrytëzonte mesazhe email-i për të mbledhur informacion jetik në lidhje me iniciativën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarjen e vaksinës për COVID-19 tek vendet në zhvillim.

Ekspertët thanë se nuk ishin të sigurtë se kush fshihej pas kësaj fushate, që filloi në muajin shtator, apo nëse ajo pati sukses. Por, sulmi me precizion dhe përpjekjet e kujdesshme për të mos lënë gjurmë, mbartnin “gjurmët karakteristike të taktikave shtetërore”, u shprehën ata në një postim të enjten.

 

Kompania IBM tha se objektivat e fushatës, në vende si Gjermania, Italia, Koreja e Jugut dhe Tajvani, janë të lidhura me zinxhirin e frigoriferimit që do të nevojitet për t’u siguruar që vaksina e koronavirusit të mbahet pandërprerë në temperatura të ulëta, në vendet me popullsi gati 3 miliardë njerëz ku frigoriferimi aktual është i pamjaftueshëm.

 

“Mendojeni këtë si vijën e furnizimit në nivel global për shumicën e vaksinave”, tha Claire Zaboeva, një analiste në IBM që u përfshi me këtë gjurmim.

 

Kushdo që të jetë pas këtij operacioni mund të jetë motivuar nga dëshira për të mësuar se si mund të transportohen dhe magazinohen vaksinat më mirë, pra i gjithë procesi i ruajtjes në frigoriefer, tha Nick Rossmann, kreu i ekipit të kompanisë IBM për zbulimin e rreziqeve globale. Ose ndoshta mund të duan të jenë në gjendje që të dëmtojnë legjitimitetin e vaksinës ose që të kryejnë një sulm dëmtues apo shkatërrimtar, shtoi ai.

 

Si pjesë e këtij operacioni, drejtuesve të organizatave të lidhura me inciativën e njohur me emrin “Covax”, e krijuar nga Aleanca Gavi për Vaksinën, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe agjensi të tjera të OKB-së, iu dërguan email-e të manipuluara që dukej sikur vinin nga një drejtues i “Haier Biomedical”, një kompani kineze që konsiderohet si furnizuesja kryesore e zinxhirit frigoriferik të botës, tha analisti.

 

Emailet e manipuluara kishin bashkëlidhur materiale me programe të infektuara që u kërkonin marrësve të shkruanin kredencialet e tyre, të cilat mund të përdoreshin për të mbledhur informacion sensitiv për partnerë jetikë për platformën e shpërndarjes së vaksinës.

 

Ndër objektivat ishin drejtori i përgjithshëm i Komisionit Evropian për taksimin dhe bashkimin doganor, si dhe kompani që prodhojnë panele diellore për të furnizuar me energji frigoriferët e lëvizshëm për vaksinat. Objektiva të tjerë ishin kompani petrokimike, ndoshta ngaqë prodhojnë akullin e ngurtë, që përdoret në zinxhirin frigoriferik, tha zonja Zaboeva.

 

Kjo agjensi e BE-së ka qenë e zënë me rishikimin e regjimeve të reja të importit dhe eksportit për vaksinat e koronavirusit dhe do të ishte një minierë ari për hakerët që kërkojnë të ndërhyjnë edhe tek organizatat partnere, tha ajo.

 

Covax ka patur vështirësi në mbledhjen e fondeve të mjaftueshme për të konkurruar për kontrata vaksinash me vendet më të pasura të botës në garën për të siguruar doza sa më shpejt që të jetë e mundur. Por OKB-ja dhe Gavi kanë investuar miliona në zinxhirin e paisjeve frigoriferike në të gjithë Afrikën dhe Azinë. Investimi, i përgatitur shumë kohë përpara pandemisë, u përshpejtua për t’u përgatitur për një shpërnarje eventuale globale të vaksinave të koronavirusit.

 

Kushdo që ishte pas operacionit të mashtrimit ka të ngjarë të kërkonte “depërtim të përparuar në blerjen dhe lëvizjen e një vaksine që mund të ndikojë në jetën dhe ekonominë globale”, thuhej në postimin në blog. Vaksinat ndaj koronavirusit do të jenë një nga produktet më të kërkuara në botë pasi të shpërndahen, kështu që vjedhja mund të jetë gjithashtu një rrezik.

 

Muajin e kaluar, kompania Microsoft tha se kishte zbuluar përpjekje kryesisht të pasuksesshme nga hakerat rusë dhe koreano-veriorë të mbështetur nga shteti për të vjedhur të dhëna nga kompanitë kryesore farmaceutike dhe studiuesit e vaksinave. Kompania nuk dha informacion se sa patën sukses ose sa serioze ishin ato ndërhyrje. Hakerët e mbështetur nga shteti kinez kanë sulmuar gjithashtu prodhuesit e vaksinave, tha qeveria amerikane në njoftimin e akuzave penale në korrik.

 

Kompania Microsoft tha se shumica e objektivave – të gjendura në Kanada, Francë, Indi, Kore të Jugut dhe Shtetet e Bashkuara – kishin të bënin me studimin e vaksinave dhe kurave për COVID-19. Kompania nuk i përmendi objektivat.

 

Të mërkurën, Britania u bë i pari vend që autorizoi një vaksinë të testuar në mënyrë rigoroze për COVID-19, atë të zhvilluar nga prodhuesi i ilaçeve amerikane Pfizer dhe BioNTech i Gjermanisë.

 

Vendet e tjera nuk janë shumë mbrapa: Agjensitë rregullatore, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Bashkimin Evropian dhe Kanada, gjithashtu po verifikojnë vaksinën Pfizer së bashku me një vaksinë të prodhuar nga Moderna Inc. Agjensitë rregullatore britanike dhe kanadeze po shqyrtojnë gjithashtu një vaksinë të prodhuar nga kompania AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit.

 

Sfidat logjistike të shpërndarjes së vaksinave në të gjithë botën janë të mëdha. Vaksina e kompanisë Pfizer-BioNTech duhet të ruhet dhe transportohet në temperatura tepër të ftohta, rreth minus 70 gradë Celsius. VOA/

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

20 thoughts on “Sulm i sofistikuar kibernetik ndaj procesit të vaksinave

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *