Maqedonia e Veriut synon të vaksinojë 60 deri në 70 përqind të popullatës, rezervon 833 mijë vaksina kundër COVID-19

Institucionet shëndetësore në Maqedoninë e veriut bëjnë të ditur se kanë siguruar 833 mijë vaksina kundër COVID-19-ës, të cilat duhet të mbërrijnë në vend në fillim të vitit të ardhshëm. 400 mijë shtetas do të vaksinohen me vaksina që do të merren përmes mekanizmit “Covax” të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për imunizimin global.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se krahas kësaj, qeveria u është drejtuar edhe kompanive “Astra Zeneca” dhe “Pfizer” për informata shtesë dhe pasi të kenë marrë përgjigje do të dinë mbi sasinë e vaksinave që do të mund të marrin edhe nga këto dy kompani.

Maqedonia e Veriut synon të vaksinojë 60 deri në 70 përqind të popullatës sepse, sipas ekspertëve kjo shifër është e mjaftueshme për të arritur imunitetin e nevojshëm.

Ministri Filipçe tha se çmimi i një vaksine është dhjetë dollarë. “Do të bëhet një trajnim i shpejtë i punonjësve shëndetësorë lidhur me procesin e vaksinimit”, tha ministri duke lënë të kuptohet se vaksinimi i grupeve specifike dhe i punonjësve shëndetësorë do të bëhet nëpër spitalet dhe qendrat publike shëndetësore ku ata punojnë.

Së pari, mjekët dhe personeli shëndetësor i përfshirë në spitalet për trajtimin e pacienëtve me koronavirus do të vaksinohen dhe qytetarët e moshës mbi 65 vjeç, si dhe pacientët me sëmundje kronike të mushkërive dhe zemrës dhe punonjësit e transportit. Vaksinimi nuk është i detyrueshëm. Por, vaksinimi nuk pritet të fillojë para muajit mars, sipas autoriteteve shëndetësore. Një sfidë tjetër shoqëruese pritet të jetë ajo e furnizimit me frigoriferë të përshtatshëm për ruajtjen e vaksinave.

Nga ana tjetër, shifrat vazhdojnë të jenë shqetësuese për nga numri i viktimave dhe përhapjes së sëmundjes.

Nga 1 dhjetori, 85 njerëz e kanë humbur jetën duke ngritur shifrën në 1877 të vdekur që nga shpërthimi i pandemisë; të dhëna këto deri të premten në mbrëmje. Numri i përgithshëm i të diagnostikuarve që nga fillimi i pandemisë në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 66.330, teksa numri i rasteve aktive është 22.212.

Në spitalet e Shkupit ka rreth 1300 pacientë të shtruar, ndërsa janë rreth 160 shtretër të lirë. Ndërkaq, në spitalet tjera të vendit janë mbi 840 pacientë me koronavirus.

Qeveria ka shpallur gjendjen e krizës që nënkupton menaxhimin nga shteti edhe të spitaleve private. Ushtria është vënë në dispozicion të sigurimit të spitaleve, ndërsa Komiteti për menaxhimin e gjendjes së krizës kërkon që kjo masë të zgjatet edhe për gjashtë muaj të tjerë, pasi të ketë përfunduar 30-ditëshi i parë. VOA/
Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

3 thoughts on “Maqedonia e Veriut synon të vaksinojë 60 deri në 70 përqind të popullatës, rezervon 833 mijë vaksina kundër COVID-19

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *