Kina përgatitet të fillojë një fushatë të gjerë vaksinimi

Kina po përgatitet të fillojë një fushatë të gjerë vaksinimi kundër koronavirusit.

 

Agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se qeveritë provinciale në të gjithë vendin po bëjnë kërkesat për vaksinat eksperimentale të koronavirusit, të prodhuara në vend, megjithëse zyrtarët shëndetësorë ende nuk kanë thënë se sa të efektshme janë vaksinat dhe se si do të mund të shpërndahen tek 1.4 miliardë banorët e Kinës.

 

Associated Press thotë se më shumë se një milion punonjës kinezë të kujdesit shëndetësor kanë marrë tashmë vaksinën eksperimentale të autorizuar për përdorim emergjent, por nuk ka pasur tregues për efekte të mundshme anësore.

 

Në Shtetet e Bashkuara, miliona njerëz në Kaliforninë jugore dhe Luginën San Huakin do të fillojnë izolimin në shtëpi, duke filluar të dielën në mbrëmje.

 

Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom tha javën e kaluar se urdhrat do të hynin në fuqi kur kapaciteti i reparteve të kujdesit intensiv në spitale do të arrinte në 85%.

 

Të premten, disa qarqe në zonën e Gjirit të San Franciskos vendosën vullnetarisht të zbatonin kufizime të reja para se zonat e tyre të arrinin pragun e ri të kapacitetit në spitale. Bllokimi i zonës së Gjirit gjithashtu fillon të dielën.

 

Duke filluar nga e diela në mbrëmje, Kalifornia do të mbyllë të gjitha restorantet, këndet e lojërave, muzetë në natyrë, kopshtet zoologjike dhe akuariumet, kinematë në natyrë dhe ekskursionet turistike me varka. Të gjitha dyqanet e shitjeve me pakicë, përfshirë dyqanet ushqimore, do të lejohen të operojnë me 20% kapacitet.

 

Vdekjet në azilet e pleqve po rriten përsëri në Evropë. Agjencia AP raporton se të paktën 5,000 “të moshuar në azile” kanë vdekur në Francë gjatë muajit të kaluar, ndërsa Portugalia ka dërguar njësi ushtarake në shtëpitë e pleqve për të udhëzuar stafin se si të kryejnë siç duhet dezinfektimet.

 

Sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins, ka më shumë se 66.6 milionë raste të infeksionit me koronavirus, dhe 1.5 milionë vdekje.

 

Shtetet e Bashkuara kanë 14.5 milionë infeksione me COVID, më shumë se çdo vend tjetër. India pason Shtetet e Bashkuara me 9.6 milionë infeksione dhe Brazili renditet në vendin e tretë me 6.5 milionë të infektuar. VOA/

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

21 thoughts on “Kina përgatitet të fillojë një fushatë të gjerë vaksinimi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *