Erdogan mospërfillës pas kërcënimit për sanksione nga BE-ja

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se sanksionet e mundshme evropiane nuk do të kishin ndikim në vendin e tij.

Ai akuzoi Bashkimin Evropian për veprime “të pandershme” ndaj Turqisë dhe për dështimin për të mbajtur premtimet.

“Çdo vendim për të vendosur sanksione nuk do ta shqetësojë shumë Turqinë”, u tha Erdogan gazetarëve, para se të nisej për një vizitë në Azerbajxhan.

Komentet e Erdoganit u bënë para mbajtjes së një samiti të BE-së, në të cilin pritet të diskutohet edhe për mosmarrëveshjet mes Turqisë dhe Greqisë, për kërkimet e gazit në ujërat e Detit Mesdhe. Turqia, në muajt e fundit ka dërguar anije kërkimi në këto ujëra. Athina tani po bën presion për sanksione ndëshkimore ndaj Ankarasë. Disa vende të BE-së, përfshirë Francën, po e përkrahin këtë ide, por disa tjera po kanë frikë se Turqia mund të kundërpërgjigjej me hapjen e dyerve për migrantët drejt Bashkimit Evropian.

Turqia mban miliona migrantë që kanë ikur nga konfliktet në Lindjen e Mesme. Të martën, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha se “pavarësisht nëse ju pëlqen, ose jo, në një masë të madhe, siguria e Evropës është në duart e Turqisë”. Por, Turqia nuk po përballet me kërcënime për sanksione vetëm nga ana e BE-së. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë përmendur mundësinë e sanksioneve për shkak se Ankaraja e ka blerë sistemin rus të mbrojtjes raketore S-400.

Turqia është vend anëtar i NATO-s. SHBA-ja por edhe aleatët tjerë kanë thënë se ky armatim rus paraqet rrezik për sistemin ajror të NATO-s. Erdogan tha se kërcënimet e SHBA-së janë të “të papërshtatshme” dhe shtoi se, ai shpreson se do ta diskutojë këtë çështje me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Joe Biden./TOPCHANNEL

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

5 thoughts on “Erdogan mospërfillës pas kërcënimit për sanksione nga BE-ja

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *