Ministri Di Maio, vizitë në Kosovë/ “BE të blejë vaksina për Ballkanin, shmangni që boshllëku evropian të plotësohet nga aktorë të tjerë”

Ministri i jashtëm italian, Luigi Di Maio vizitoi ditën e sotme Kosovën, si dhe trupat italiane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.

“Italia nuk është tërhequr pas në këtë situatë të vështirë dhe ka dërguar kontributin e saj në mbështetje të autoriteteve të Kosovës, në luftën kundër Covid-it. Ashtu siç po i kërkojmë Komisionit Evropian përshpejtimin e blerjes së vaksinave për përfitimin e qytetarë italianë, tani e konsideroj të rëndësishme dhe urgjente që Komisioni, përveç iniciativave të planifikuara tashmë, të marrë përsipër një iniciativë të dedikuar posaçërisht për blerjen
drejtpërdrejt dhe sa më shpejt të jetë e mundur të doza të mëtejshme të vaksinimit për popullsitë e Ballkanit Perëndimor”, tha Di Maio.

“Siç i shpjegova Komisionerit Varhelyi, një iniciativë e ngjashme do të lejonte: Së pari mbulim adekuat dhe në kohë të vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, në interes të Evropës e veçanërisht të Italisë, në dritën e kontakteve intensive midis komunitetet e vendeve tona. Së dyti, dhënia e një sinjali të rëndësishëm të afërsisë dhe solidaritetit konkret të partnerëve tanë në Ballkan është në përputhje me mbështetjen tonë për rrugën evropiane të këtyre vendeve”, shtoi ministri, duke sqaruar se së treti, një iniciativë e tillë synon edhe shmangien që boshllëku evropian të plotësohet nga aktorë të tjerë.

Deklarata në fjalë vjen në një kohë kur ambasada ruse ofroi furnizim të Shqipërisë me vaksinën antiCovid Sputnik-V nga ana e Rusisë, çka u konsiderua një provokim qesharak nga ana e kryeministrit Edi Rama.

“Kam menduar se ka qenë një meme, ajo që pashë, që ambasada e Rusisë kishte postuar nga Twitter-i i drejtorit të komunikimit, Endri Fugës, një retweet të tweet-it të shefes se KE-së. Mendova se ishte një meme, për një shtet serioz është krejtësisht e papërshtatshme të bëjë provokime të tilla, dhe kur them provokim nuk po i paraprij ndonjë demarshi pranë shtetit rus, sepse ky është një provokim qesharak, dhe nuk është mirë që një vend serioz si Rusia të bëhet qesharake përmes këtyre postimeve dhe një ambasadë të sillet sikur është një seksion i Portokallisë, apo konkurrent i Portokallisë. Shpreh keqardhje, sepse nuk shoh arsye. Ne jemi të fokusuar te Pfizer dhe AstraZeneca. Shtetet të cilat ne komunikojmë në BE janë të fokusuara drejt këtyre kompanive. Një ndjesë e ambasadës ruse do ishte shumë e mirëpritur”, tha ditën e djeshme, Rama.

Në postimin e ambasadës ruse në Tiranë shkruhej:

“I nderuar Endri Fuga, Ju bëjmë me dije se Fondi Rus i Investimeve Direkte është autorizuar të zhvillojë negociata me vendet, të cilat janë të interesuara për të blerë vaksinat kundër COVID-19. Nuk kemi dyshime se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik-V” edhe në Shqipëri. Vaksinimi me “Sputnik-V” tashmë filloi në Rusi dhe në Argjentinë, ndërkohë më shumë se 50 vende kanë aplikuar për të blerë 1,2 miliard dozë të preparatit. Në çdo rast, e përsërisim informacionin e postuar më parë për karakteristikat dhe avantazhet e saj në krahasime me një serë vaksinash të tjera”.

Ditën e sotme, reagoi vetë ambasada ruse, e cila shkroi:

“Është e vështirë të kuptohet pse Kryeministri i nderuar i Shqipërisë z. Edi Rama u mërzit kaq shumë nga komenti i Ambasadës së Rusisë në faqen e saj në Facebook më 28 dhjetor të këtij viti. Ambasada vetëm reagoi ndaj re-tweet-it të Drejtorit të Komunikimit të Kryeministrit, z. E. Fuga, në lidhje me fillimin e vaksinimit kundër Covid-19 në vendet anëtare të BE-së dhe deklaratës e vetë të kreut të Qeverisë së Shqipërisë në konferencën e tij për shtyp në 24 dhjetor, gjatë së cilës ai përmendi vështirësitë në sigurimin sa më shpejt të jetë e mundur e sasisë së nevojshme të vaksinave për popullatën e vendit”.

Nga ana tjetër, vaksina ruse kundër koronavirusit, Sputnik V arriti të mërkurën në Serbi. Kontingjenti i parë u dërgua në Institutin e Virologjisë, Vaksinave dhe Serumeve “Torlak” në Beograd.

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë së Serbisë, Mirsad Gjerllek, tha se kanë arritur 2,400 doza.

“Nga Agjencia e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore më është thënë se, për një ditë ose dy, pritet certifikata për përdorim, kështu që aplikimin e vaksinës Sputnik V mund ta presim menjëherë pas Vitit të Ri. Leja do të na mundësojë të marrim sasi dukshëm më të mëdha gjatë janarit”, tha Gjerllek./topchannel

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

2 thoughts on “Ministri Di Maio, vizitë në Kosovë/ “BE të blejë vaksina për Ballkanin, shmangni që boshllëku evropian të plotësohet nga aktorë të tjerë”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *