Pas një viti të trishtë, Azia gati të mirëpresë vitin 2021, ja si po festojnë aziatikët

Ndërsa Azia i thotë lamtumirë 2020-ës, një vit i trazuar që pa planetin të tronditej nga pandemia vdekjeprurëse, festimet do të jenë më të vogla, më të shkurtra dhe më të heshtura nga frika e përhapjes së koronavirusit.

Në Pekin, kryeqyteti i vendit më të populluar në botë, një shfaqje vjetore e Vitit të Ri në kullën e televizionit qendror të Kinës e planifikuar nga e enjtja deri të dielën është anuluar.

Tempulli i Pekinit Yonghe Lama, një vend turistik, ka ulur gjithashtu numrin e vizitorëve të lejuar në gjysmën e kapacitetit që nga e enjtja. Shumë turistë kinezë po qëndrojnë në shtëpi.

Koronavirusi u shfaq një vit më parë në qytetin kinez të Wuhan. Në këtë qytet, ku mendohet të ketë origjinën Covid-19, mijëra njerëz pritet të mblidhen në disa monumente të njohura në të gjithë qytetin për numërimin mbrapsht deri në 2021. Disa thanë se po tregonin kujdes, por nuk ishin të shqetësuar.

“Siguria është përparësia”, tha Wang Xuemei, një banor i Wuhan.

Australia është ndër të parat që pret vitin e ri dhe spektakli i fishekzjarreve mbi Sindei shihet nga gjithë bota. Por këtë vit atmsfera është shumë ndryshe. Shumë qytete kanë lëvizje të kufizuar madje dhe kufij të brendshëm. Shumica e njerëzve janë të ndaluar të vijnë në qendër të qytetit të Sidneit të enjten në mbrëmje.

Moti dhe Covid-19 po pengojnë festimet në Japoni. Agjencia Perandorake e Familjes së Japonisë ka anuluar një ngjarje vjetore të Vitit të Ri të caktuar për 2 Janar, në të cilën Perandori Naruhito dhe anëtarët e tjerë të familjes perandorake do të përshëndesnin dashamirët. Dëbora, ndërkohë, ka mbuluar disa pjesë të vendit, duke çuar në rreth 140 fluturime të anuluara dhe ndërprerje të tjera.

Në qendrën e qytetit të Singaporit Marina Bay, nuk do të ketë fishekzjarre për të pritur Vitin e Ri për herë të parë që kur filloi tradita vjetore në 2005. Në vend të kësaj, fishekzjarret do të vendosen në vende të ndryshme nëpër qytetin e Azisë Juglindore.

Banda e njohur BTS do të zhvillojë një koncert në internet të enjten në mbrëmje në Korenë e Jugut.

Në Korenë e Jugut, qeveria ka mbyllur plazhet në Gangueng, në bregun lindor të vendit, ku njerëzit tradicionalisht shkojnë për të parë lindjen e parë të diellit të Vitit të Ri. Ceremonia e ziles së Bosingak të Seulit u anulua për herë të parë që nga viti 1953, por mund të shihet “virtualisht” në faqen e internetit të qytetit.

Shumë qytete në ishullin e vetë-qeverisur të Tajvanit po anulojnë pjesëmarrjen e publikut në ngjarje si shfaqje fishekzjarresh dhe u kanë kërkuar njerëzve të shikojnë në internet ose në televizion.

Festimet e Vitit të Ri në Indi ka shumë të ngjarë të jenë të qeta pasi disa shtete dhe qytete të mëdha kanë vendosur ndalimin e orëve të natës, kanë kufizuar tubimet e mëdha dhe kanë mbyllur pub-et dhe restorantet.

Burimi: Reuters

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

75 thoughts on “Pas një viti të trishtë, Azia gati të mirëpresë vitin 2021, ja si po festojnë aziatikët

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *