A do të mbetet Vladimir Putin president përjetë?

Në vitin 2020, rusët votuan në një referendum kombëtar për të miratuar ndryshime në kushtetutën e tyre, përfshirë një amendament që i jep Presidentit Vladimir Putin të drejtën për ta mbajtur postin deri në vitin 2036. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Charles Maynes nga Moska, pyetja që shtrohet tani është nëse ai do ta bëjë një gjë të tillë.

Pas 20 vjetësh në pushtet, arritja më e madhe politike e Presidentit Vladimir Putin gjatë vitit 2020 ishin reformat kushtetuese që ndryshojnë kufizimet për mandatin e tij presidencial. Një referendum kombëtar i miratuar këtë verë lejon udhëheqësin rus të qëndrojë në Kremlin edhe për një pjesë të mirë të dekadës së ardhshme, megjithëse tani për tani zoti Putin nuk po shprehet për planet e tij.

“Nga një këndvështrim zyrtar, njerëzit kanë folur. A do ta bëj apo jo, do të shohim”, tha ai.

Presidenti Putin e justifikoi reformën duke thënë se shmang statusin e qeverisjes pa kompetenca në mes të mandateve – dhe përplasje në Kremlin – para fundit të mandatit të tij aktual në 2024.

Por është një mandat që ka ardhur me sfida të reja, të papritura, thonë vëzhguesit politikë.

“Sistemi është i orientuar në mënyrë të tillë, që ai të jetë në qendër të tij. Kjo është ajo që e bën atë të ndjehet krenar, që ka qenë ai që i ka dhënë formë vendit”, thotë historiani Alexey Kuznetsov.

Pandemia globale e koronavirusit jo vetëm që ka transformuar jetën e rusëve, por e ka vendosur zotin Putin në një rol të panjohur: Një udhëheqës botëror që iu desh të tërhiqej nga skena globale, për t’u marrë me një krizë shëndetësore kombëtare dhe pasojat e saj ekonomike.

“Ai ishte mësuar të shfaqte një imazh të fortë të Rusisë, duke goditur Shtetet e Bashkuara dhe duke u ngritur në skenën ndërkombëtare. Ai nuk merrej me probleme sociale. pensione dhe kujdes shëndetësor”, thotë analisti politik, Dmitry Oreshkin.

Deri para pandemisë. Në vitin 2020, zoti Putin u përball me pakënaqësinë në rritje lidhur me menaxhimin e koronavirusit, një ekonomi të dobësuar dhe stilin e tij të qeverisjes me grusht të hekurt.

Helmimi që për pak i mori jetën udhëheqësit të opozitës Alexei Navalny në Siberi në gusht, shtroi gjithashtu pikëpyetje rreth kufizimit të lirive politike nën pushtetin e presidentit Putin.

Të rinjtë rusë në veçanti, janë skeptikë ndaj perspektivës së zotit Putin si ‘President i përjetshëm’, sipas sondazheve dhe zërave kryesorë të opozitës.

“Nëse i pyet njerëzit drejtpërdrejt a doni që Putini të qëndrojë deri në vitin 2036, shumica do të thotë ‘jo’ dhe kjo madje pa qenë nevoja t’i bindësh”, thotë politikani i opozitës, Dmitry Gudkov.

Një mori ligjesh të reja shtypëse – dhe një klauzolë për imunitet për ish-presidentët – lënë të kuptohet se udhëheqësi rus po i mbulon të gjitha bazat, pasi megjithëse mbetet figura komanduese e politikës ruse tani për tani, vendimet mbi të ardhmen e tij politike thjesht janë shtyrë, nuk janë zgjidhur.

Kjo mesa duket e lë vendin në pasiguri për vitin 2021 e më tej./VOA

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

2 thoughts on “A do të mbetet Vladimir Putin president përjetë?

  • 10/10/2021 at 16:20
    Permalink

    162223 973451Thank you for every other informative internet site. Where else could I get that type of information written in such a perfect indicates? Ive a mission that Im just now operating on, and Ive been at the appear out for such info. 489400

    Reply

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *