Një leksion juridik mbi Propozim-ligjin për regjistrimin e popullsisë në RMV

Shkruan: Arbër Çeliku
Qeveria e Maqedonisë së Veriut synon anëtarësimin në Unionin Evropian, por me veprimet e veta, në vazhdimësi dëshmon për një mentalitet politik të trashëguar nga ai jugosllav, i cili ka qenë përjashtues, mizor dhe represiv për popujt jo-sllavë dhe jo-ortodoksë. Sot ndryshon vetëm forma dhe mjetet janë më sofistikuara. Aq më tepër, kur në këtë mozaik ogurzi pjesë përbërëse është (me apo pa dashje) edhe faktori politik shqiptar, i mbështetur nga intelektualë, shoqata dhe mediume mercenare.
Propozim-ligji për regjistrimin e popullsisë, që parashihet të sillet së shpejti në parlamentin e RMV-së, është po i njëjti që u ftillua vite më parë nga Qeveria Gruevski. Si sot më kujtohet takimi i rastësishëm para 4 vjetëve me një ish zv-ministër në qeverinë e Gruevskit (jurist me profesion) në aeroportin e Shkupit, i cili dhe qëllimisht u ul afër meje në fluturimin Shkup-Vjenë, për të më bindur të mos reagoja për fenomenet, që binin në kundërshtim me veprimtarinë politike të partisë së tij. Edhe atë kohë debati publik sillej rreth regjistrimit të popullsisë, madje unë i kisha thënë disa fjalë publikisht dhe ai e nisi muhabetin: “Nuk jemi ne fajtorë, propozim-ligji është në përputhje me ligjet pozitive evropiane”.

Por, çfarë thonë, në të vërtetë, “ligjet pozitive evropiane” lidhur me qëndrimin e personave nga vendet e treta?!

E drejta e Unionit Evropian bazën e saj e ka në Kartën për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut të Kombeve të Bashkuara (1948), në bazë të së cilës dinjiteti dhe integriteti njerëzor janë entitete të paprekshme. Mirëpo, shtetet anëtare, duke mos gjetur konsensus, shkaku i nacionalizmave të ngulitura thellë në vetëdijen e popujve të Evropës, nuk kanë arritur deri më sot të sjellin një kushtetutë të Unionit, e cila do të dilte mbi kushtetutat nacionale dhe do të ishte e zbatueshme për të gjitha shtetet anëtare. Për t’i rregulluar të drejtat, janë miratuar konventa të ndryshme, të cilat e përcaktojnë kornizën ligjore të Unionit të sublimuar në Kartën e të drejtave themelore të UE-së, por që përsëri herë-herë bie nën hijen e legjislacionit të shteteve nacionale. Kësisoj ka shtete anëtare, të cilat e lejojnë shtetësinë e dyfishtë, por ka edhe të atilla që nuk e lejojnë, si psh.: Gjermania, Holanda, Danimarka, Bullgaria, Greqia, etj.
Sa i përket të drejtës së qëndrimit brenda përbrenda UE-së, ajo përcaktohet përmes Direktivës 2003/109/EC të Këshillit të Evropës, të miratuar më 25 nëntor 2003 (në internet ajo gjendet fare kollaj dhe në gjuhën e çdo shteti anëtar, kurse unë me këtë rast e kam shfrytëzuar versionin në gjermanisht).
Direktiva në fjalë rregullon të drejtën e qëndrimit të personave të vendeve të treta brenda Unionit dhe kjo e drejtë konsiston në 26 arsye, të cilat rregullohen me krerë dhe nene të caktuara. Në rastin tonë nevojitet të shpaloset neni 9i kreut II të kësaj Direktive, i cili flet për Heqjen ose humbjen e së drejtës së qëndrimit në shtetin anëtar përkatës, nen ky, i cili në mënyrë të pjesshme (ose thënë ndryshe: selektive) duhet të jetë marrë për bazë në propozim-ligjin e qeverisë së RMV-së për regjistrimin e paraparë të popullsisë (them duhet, sepse propozim-ligji nuk është vënë në dispozicion për publikun e gjerë dhe as nuk është nxjerrë në debat publik, siç do të duhej të ndodhte në një shtet demokratik, por nga kumtimi i kryeministrit Zaev ditë më parë në media le të kuptohet referenca).
Edhe atë për bazë në mënyrë eksplicite është marrë pika 1c e këtij neni të Direktivës në fjalë të UE-së, e cila heqjen apo humbjen e lejeqëndrimit të një pjesëtari të një shteti të tretë e parasheh kësisoj: “nëse ai në një periudhë kohore prej 12 muajsh radhazi nuk qëndron në territorin e Unionit”.Megjithatë, pika 2 e arsyeton mungesën prej 12 muajsh radhazi “nëse deponohen arsye të qena ose situata të jashtëzakonshme” dhe heqja ose humbja përfundimtare e të drejtës së qëndrimit rregullohet përmes pikës 4, pgf. 2, i cili thotë: “Personi i prekur e humb përfundimisht të drejtën e qëndrimit afatgjatë në një shtet anëtar, nëse ai për 6 vjet nuk ka qëndruar në shtetin përkatës anëtar”.

Përse kjo lajthitje juridike dhe qasje kaq selektive për regjistrimin e paraparë të popullsisë në RMV?!

Direktiva 2003/109/EC e Këshillit të Evropës për rregullimin e lejeqëndrimit jep kornizën ligjore për shtetasit e huaj dhe jo të Unionit, dhe kohëzgjatja e humbjes së lejeqëndrimit nuk është 12 muaj, por 6 vjet. Maqedonia e Veriut nuk është shtet anëtar, madje ende ka probleme me hapjen e bisedimeve. Nëse edhe do të hapeshin bisedimet këtë vit, procesi i anëtarësimit do të zgjasë me vite, dhe para vitit 2030 Maqedonia e Veriut vështirë e ka të bëhet anëtare e plotë, duke pasur parasysh reformat që duhet ndërmarrë në çdo sferë të shoqërisë.
Në këtë katrahurë juridike, shtrohet pyetja: Si është e mundur ish-ministri shqiptar jurist në qeverinë Gruevski dhe deputeti i tanishëm shqiptar po ashtu jurist në qeverinë Zaev të mos i kenë lexuar “ligjet pozitive evropiane”, që ata i citojnë me aq zell kur bëhet fjalë për ligje kaq antishqiptare?! Aq më tepër, këta duhet ta dinë se me ligje kaq selektive Maqedonia e Veriut kurrë nuk mund të bëhet anëtare e plotë e UE-së, sepse dukshëm cenohen të drejtat e bashkësive etnike, praktikë që bie ndesh me Kartën e të drejtave themelore të UE-së.
Përveç kësaj, “ligjet pozitive evropiane” vlejnë për “personat e vendeve të treta”, jo për ata që janë shtetas të Unionit. Kjo do të vlente psh. për një afrikan, i cili do të fitonte lejeqëndrim në Maqedoninë e Veriut, por jo për shqiptarët, të cilët jetojnë në tokat e tyre dhe kanë shtetësi të këtij vendi. Shtetësia nuk mund të hiqet dhe ajo automatikisht e garanton edhe të drejtën e qëndrimit.

Prapaskenat e regjistrimit të paraparë të popullsisë në RMV

S’do mend se regjistrimi i paraparë i popullsisë në RMV shigjeton popullin shqiptar dhe është vazhdimësi e projekteve tashmë të njohura sllave ndaj shqiptarëve. Akademia e Shkencave Jugosllave me në krye Çubrilloviqin gjatë viteve 60-ta të shekullit të kaluar ideoi projektin e dëbimit masiv të shqiptarëve për në Turqi, Titoja në fillim të viteve 70-ta e hapi vendin që shqiptarët të iknin për kushte më të mira jete dhe të mos ktheheshin më kurrë në tokat e tyre dhe çdo qeveri tjetër sllave më pas punoi me përkushtimin më të madh për t’ia arritur këtij qëllimi. Ndonëse jo plotësisht, ky qëllim pjesërisht është arritur dhe, po të vazhdohet me përfaqësimin kaq të dobët politik tonin, shpejt dhe do të bëhet realitet.

Ambivalenca e popullit 20%

Duke e shtjelluar pikën 5 të kreut 6 të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, vërehen 2 çështje problemore. E para, për herë të parë, që nga mëvetësimi i Maqedonisë, krijohet një mundësi për përdorimin e gjuhëve të etnive jomaqedonase në nivel lokal, me një prirje edhe në nivel qendror, megjithatë “Ligji”, që përmendet në draftin e Marrëveshjes së Ohrit, nuk u soll edhe për një kohë të gjatë, kështu që çështja e përdorimit të gjuhëve të bashkësive etnike jomaqedonase mbeti pezull. Dhe e dyta, Zyra qendrore është thuajse jofunksionale dhe shërben vetëm si dekor politik, kurse ato rajonale, që përmenden në draftin përfundimtar në Marrëveshjes nuk u formuan kurrë, gjë që e vështirëson përdorimin e gjuhës shqipe (të quajtura si gjuhët e etnive jomaqedonase) qoftë në nivel qendror ashtu edhe në atë komunal. Nga ana tjetër, Republika e Maqedonisë e ka nënshkruar Kartën Evropiane për Gjuhët Rajonale dhe të Minoriteteve qysh në vitin 1996, por ende nuk e ka ratifikuar atë. Dhe po t’i hedhim një sy kësaj Karte, del fare qartazi se çfarë është enklava, minoriteti, pakica kombëtare dhe populli përbërës. Sipas saj, çdo etni që në një njësi politike territoriale përbën, së paku, 20% të numrit të përgjithshëm të popullsisë, duhet të jetë përbërës, pra konstituiv, prandaj dhe mosratifikimi i Kartës tregon se njëmendësia e fosilizuar maqedonase akoma vazhdon të jetojë me logjikën shoviniste, duke ngurruar në përkushtimin për të siguruar plotësisht të drejtat gjuhësore, por edhe të drejtat themelore të njeriut të etnive ndryshe nga vetvetja.
Prandaj dhe synimi kryesor i regjistrimit të paraparë të popullsisë është që shqiptarët të tkurren nën 20% dhe të trajtohen si pakicë kombëtare me të drejta edhe më të kufizuara nga këto sot.

Megjithatë…

Jo rastësisht e përmenda më lart, se Bullgaria nuk lejon shtetësi të dyfishtë, vetëm në rastet kur bëhet fjalë për pakicë bullgare jashtë territorit të vet politik. Të gjithë maqedonasit, të cilët kanë fituar shtetësi bullgare, e kanë fituar atë në sajë të deklarimit si bullgarë. Dhe sot në RMV janë mbi 200 mijë bullgarë, po aq ka serbë, turq dhe të tjerë. Regjistrimi do t’i nxjerrë në pah këto çështje dhe, me shumë gjasë, ai do të dështojë përsëri. Vetëm me maqedonasit e Pustecit nuk do të mund të bëhet rikolonializimi i vendit, siç u bë në vitet 70-ta me maqedonasit nga Maqedonia e Egjeut.
Megjithatë, faktori politik shqiptar duhet ta ndërpresë praktikën e heshtjes dhe ekspozimit përpara ligjeve që janë në dëmin tonë kombëtar. Të gjithë do të vdesim një ditë, sado të varfër apo të pasur qofshim, por le të vdesim me nder, krenari dhe dinjitet, ashtu siç e kemi amanet nga të parët tanë, dëshmorët dhe martirët e kombit. Gjuha dhe kombi nuk janë mall që shitet dhe blihet lirë në pazar.

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

223 thoughts on “Një leksion juridik mbi Propozim-ligjin për regjistrimin e popullsisë në RMV

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *