Qeveria, konfuze për strategjinë me Bullgarinë

Ka apo jo Qeveria strategji të qartë për negociatat me Sofjen? E pyetur lidhur me këtë dilemë që është shfaqur në opinion, Qeveria në përgjigjen për Alsat, është konfuze pasi thotë se ka qëndrim por se qëndrimin për veprimet e mëtejme do ta ndërtojë pasi ta shqyrtojë qëndrimin e Sofjes.

“Qeveria ndaj këtyre çështjeve të rëndësishme dhe strategjike gjithnjë ka qëndrim të qartë dhe të unifikuar. Si pjesë e strategjisë është edhe Plani aksionar, i propozuar nga ana jonë. Edhe roli i përfaqësuesit special, Buçkovski del nga propozim-plani aksionar dhe përpjekjet e Qeverisë për gjetjen e zgjidhjes me Bullgarinë dhe tejkalimin e pengesave për fillim të negociatave me BE-në”, thonë nga Qeveria.

“Në periudhën që vijon, ekipi i punës do t’i shqyrtojë komentet që arritën nga Bullgaria ndaj propozim planit tonë aksionar dhe do të ndërtohet pozicion i qartë dhe qëndrim për veprimin e mëtejshëm”, pohojnë nga Qeveria.

Për opozitën, në mesin e dëshmive se Qeveria nuk ka as koordinim e as strategji është kakofonia institucionale e paparë e Zv/kryeministrit, Dimitrov i cili paralajmëroi pauzë dhe ministrit, Osmani, i cili paralajmëroi intensifikim të negociatave. Milloshovski nga VMRO DPMNE vlerëson se në mungesë të pozicionit të unifikuar politik, negociatat Shkup-Sofje më shumë ngjajnë si biseda private Buçkovski-Zaharieva dhe Zaev-Borisov, që mund të jenë viktimë e kalkulimeve parazgjedhore që ekzistojnë në Sofje.

“Nëse do të kemi strategji të qartë, të verifikuar në Kuvend, mund të ketë efekt më afatgjatë dhe të sigurojë pozicion më të mirë negociues për shtetin në raport me Sofjen e Brukselin. Por me këso politike konfuze dhe kontradiktore ndaj Bullgarisë, ku dy ministra kanë dy strategji të ndryshme, mund të kemi vetëm komplikime shtesë, në dëm të Maqedonisë.”, deklaroi Antonio Milloshovski, VMRO DPMNE. 

Për Arben Fetain nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët-Alternativa, Qeveria aktuale është e paaftë për ta zgjidhur kontestin me Sofjen, do të lë pasoja afatgjate në vend, por edhe më gjerë.

“Pasoja imediate e kësaj gjendjeje natyrisht se është bllokimi i procesit integrues të vendit, por efektet janë më të gjera, besoj dhe më afatgjate. Sepse mund të goditet në këtë mënyrë vetë politika e zgjerimit e BE-së në Bruksel, por edhe ndjenja pro-evropiane e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, marrë parasysh vonesat që vijnë shpesh herë me fajin tonë. Prandaj vlerësojmë se zgjidhja e vetme mbetet krijimi i një Qeverie të zgjeruar teknike”, tha Arben Fetai, ASH AAA.

Shkupi e Sofja kanë shkëmbyer propozim plane aksionare, si përgatitje për mbajtjen e takimit të radhës të Komisionit ndër-qeveritar, data e të cilit megjithatë ende nuk është caktuar./alsatm

 

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

150 thoughts on “Qeveria, konfuze për strategjinë me Bullgarinë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *