Qeveria sërish do t’i shlyej borxhet milionëshe të komunave

Qeveria përsëri do ta paguajë faturën e punës joekonomike të kryetarëve të komunave. Para deputetëve është ligji i ri i cili parashikon shlyerjen e borxheve të bëra nga ndërmarrjet publike komunale deri në vitin 2017. Sipas propozim-ligjit, ndërmarrjeve publike të themeluara nga komunat, siç janë ndërmarrjet komunale, ujësjellësit, rrugët, parkingjet, etj, do t’u falet kamatat dhe do të riprogramohen borxhet që ata i kanë ndaj shtetit dhe kompanive shtetërore.

Në bazë të këtij ligji, kreditorët janë të obliguar të bëjnë shlyerje të plotë të normës së interesit dhe riprogramimin e borxhit dhe shpenzimeve kryesore brenda tre muajve nga dita e hyrjes në fuqi të ligjit. Gjobë prej 2.500 euro për personin juridik që nuk do të shlyejë normat e interesit dhe riprogramojë borxhet brenda afatit të caktuar – thuhet në Propozim Ligjin për Borxhet.

German Fillkov nga Qendra për Komunikime Civile, organizatë joqeveritare që ka monitoruar procesin e prokurimit publik më shumë se 10 vjet, thotë se në ligj është kontestues fakti se nuk përmendet se sa para nga buxheti do të ndahen për t’i mbuluar këto norma të interesit.

Nëse borxhi riprogramohet, është logjike për mua që ekziston program se si do të shlyhet borxhi ose thjesht do t’i riprogramojmë në periudhë të caktuar kur problemi të paraqitet përsëri si akut dhe në fund mendoj se e gjithë kjo nënkupton papërgjegjësi dhe pandëshkueshmëri të zyrtarëve publik sepse duhet të ketë mënyrë për këto borxhe, duhet të jetë dikush përgjegjës dhe ata të sanksionohen siç duhet – u shpreh German Fillkov- Qendra për komunikime civile.

Vetëm dy vjet më parë, shteti u fali komunave 51% të borxheve të përgjithshme përkatësisht u dha 50 milion euro nga buxheti i shtetit për shlyerjen e borxheve të tyre. Pas dy vitesh, pushtetet lokale ende kanë borxhe të larta. Me shtatorin e vitit të kaluar, komunat kishin borxh 63.8 milion euro. Ndërmarrjet publike të themeluara nga komunat kanë borxh prej 54.3 milion euro. Borxhlinjtë më të mëdhenj në këtë listë janë “Higjiena komunale”- Kumanovë me 7.9 milion euro dhe “Ujësjellësi”- Shkup me borxh prej 6.1 milion euro. Borxhi i përgjithshëm që e kanë komunat, ministritë, ndërmarrjet publike, deri në shtator të vitit 2020, ka arritur në 306 milion euro.

 

 

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *