KOALICIONI ALEANCA PËR SHQIPTARËT & ALTERNATIVA: U PROMOVUA FUSHATA DHE PLATFORMA “SHTETESIA.MK”

Sot koalicioni Aleanca për Shqiptarët & Alternativa në Shkup, e promovoi fushatën dhe platformën “shetetesia.mk”.

Kjo platformë, në emër të koalicionit, u prezantua nga Bashkim Bashkiu, drejtues i Qendrës Analitike të ASH-së. Me këtë rast Bakiu tha se: “Shtetesia.mk – është platformë kombëtare, ku të gjithë qytetarët, pa dallim, do të kenë mundësi ta paraqesin problemin e tyre për marrjen e shtetësisë. Synimi i kësaj platforme është grumbullimi i informacioneve nga qytetarët të cilët ballafaqohen me problemin e marrjes së shtetësisë, tashmë 30 vite, që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut.”

Sipas tij, “Të jesh pa shtetësi do të thotë të mos jesh i njohur si qytetar nga një shtet në kornizat e ligjit të tij. Për shkak të kësaj anomalie ligjore, Republika e Maqedonisë Veriore parandalon që banorët në territorin e saj të kenë qasje në të drejtat themelore civile, politike, ekonomike, kulturore dhe sociale. Përkundër faktit se Republika e Maqedonisë Veriore është nënshkruese e konventave të rëndësishme përmes sistemit të të drejtave të njeriut të Këshillit të Evropës, si dhe Deklaratës Universale të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, të cilat përcaktojnë se të gjithë kanë të drejtën e shtetësisë, respektivisht asnjë personi mos t’i privohet e drejta e shtetësisë, sot në territorin e vendit ka njerëz që janë të padukshëm ligjërisht, pra njerëz pa shtetësi.”, shtoi ai.

Bakiu shtoi edhe se “Ne do të ndërmarrim një proces gjithëpërfshirës për të mbledhur të dhënat themelore nga personat pa shtetësi në Republikën e Maqedonisë së Veriut, gjithë kjo përmes platformës shtetesi.mk, që pastaj të kemi mundësi të ushtrojmë presion politik për ta zgjidhur këtë problem.”

Në fund të këtij prezantimi para gazetarëve folën edhe dy kryetarët e partive të koalicionit, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi.

Me këtë rast kryetari i ASH-së, Sela, deklaroi se: “Shtetësia është detyrim minimal shtetëror ndaj secili qytetar të vendit tonë dhe ne nuk mund të lejojmë akoma që shteti me arsyetime banale t’ua mohojë qytetarëve këtë të drejtë themelore njerëzore.”

Në këtë diskutim u inkuadrua edhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, i cili shtoi se: “Shteti përfundimisht duhet të çlirohet nga droja se po rritet numri i një bashkësie etnike dhe në këtë mënyrë ta pengojë të drejtën e qytetarëve për të pasur dokument shtetësie”.

Në fund gazetarët shtruan edhe pyetje të tjera, veçmas në lidhje me propozim-ligjin për regjistrimin e popullsisë, si dhe çështje të tjera të aktualitetit politik.

Shërbimi për Informim i Koalicionit Aleanca për Shqiptarët & Alternativa

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *