Vaksina e J&J, 72 për qind efektive në SHBA, por më pak në rajone të tjera

Kompania farmaceutike Johnson & Johnson bëri të ditur të premten se vaksina e saj, e cila merret me një dozë të vetme, ishte 72 për qind efektive në parandalimin e COVID-19-s në Shtetet e Bashkuara. Nga ana tjetër vaksina kishte dëshmuar një normë më të ulët mbrojtjeje globalisht, 66 për qind, gjatë kryerjes së provës përfundimtare në tre kontinente, kundër disa varianteve të virusit.

Në provën me rreth 44,000 vullnetarë, niveli i mbrojtjes kundër rasteve të lehta e të rënda me COVID-19 ishte 66 për qind në Amerikën Latine dhe vetëm 57 për qind në Afrikën e Jugut, ku po qarkullon një variant shumë shqetësues i koronavirusit të ri.

Këto rezultate ndryshojnë në raport me nivelin e lartë të efektivitetit të shënuar nga dy vaksina që tashmë kanë marrë autorizim për përdorim emergjent, të prodhuara nga Pfizer/ BioNTech-u dhe Moderna, të cilat janë rreth 95 për qind efektive në parandalimin e sëmundjes pas marrjes së të dy dozave. Megjithatë provat me to janë zhvilluar kryesisht në Shtetet e Bashkuara, përpara përhapjes së gjerë të varianteve të reja, që tani janë në qendër të vëmendjes.

Qëllimi kryesor i studimit të J & J ishte parandalimi i rasteve të lehta deri tek ato të rënda të COVID-19-s. Vaksina rezulton të jetë 85 për qind efektive në ndalimin e rasteve të rënda si dhe në parandalimin e shtrimeve në spital për të gjitha rajonet ku është testuar si dhe kundër varianteve të ndryshme, 28 ditë pas imunizimit.

Ky nivel parandalim,i “potencialisht do të mbrojë qindra miliona njerëz nga raste serioze apo me pasoja fatale të COVID-19-s”, tha në një deklaratë doktor Paul Stoffels, shkencëtari kryesor i kompanisë amerikane J & J.

Javën e ardhshme kompania ka në plan të kërkojë nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, autorizimin për përdorim emergjent të vaksinës.

Zyrtarët amerikanë të shëndetit publik i kanë varuar shpresat tek vaksina e J&J-it për të rritur sasinë e furnizimit me vaksina, diçka tejet e nevojshme si dhe për të thjeshtuar fushatën e imunizimit në vend.

Ndryshe nga vaksinat e Pfizer / BioNTech-ut dhe Moderna-s, vaksina e J & J-it merret me një dozë të vetme si dhe nuk mbahet e ngrirë, duke e bërë atë një kandidate të fortë për përdorim në ato pjesë të botës me infrastrukturë të dobët transporti dhe ambiente të pamjaftueshme për ruajtjen e vaksinave në të ftohtë. voa/

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *