Të dhënat e INSTAT: Kriza e pandemisë nxori të papunë 43 mijë shqiptarë më 2020-ën

Të dhënat e INSTAT nga Anketa e Forcave të Punës tregojnë se numri i të punësuarve ra ndjeshëm në 6 muajt e parë të vitit (me rreth 50 mijë persona), teksa karantina bllokoi aktivitetin ekonomik për gati tre muaj. Në tremujorin e tretë, pas hapjes së vendit dhe aktivitetit të turizmit, punësimi u përmirësua ndjeshëm dhe mbi 30 mijë persona u rikthyen në punë.

Efektet pozitive të turizmit në tremujorin e tretë u shuan në 3-muajt e fundit të vitit.

Si rrjedhojë, tremujori i katërt ka sjellë sërish një ulje të ndjeshme të numrit të të punësuarve në vend (-21 mijë në krahasim me tremujorin e tretë), duke bërë që viti më i vështirë që nga 1997-a të mbyllet me rreth 43 mijë të punësuar më pak.

Në tremujorin e katërt 2020, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 60,2 %. Gjatë këtij tremujori, në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2019, numri i të punësuarve gjithsej u ul me 3,4 %, ndërkohë krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020, ky tregues u ul me 2,2 %, raportoi INSTAT.

Përkeqësimi i treguesve të punësimit në tremujorin e katërt erdhi pavarësisht gjallërimit të konsumit në këtë periudhë, sipas të dhënave të tjera të INSTAT. https://www.monitor.al/gjallerohet-tregtia-me-pakice-ne-tremujorin-e-katert-rritjen-shitjet-e-produkteve-ushqimore-e-jo-ushqimore/

Ulet pjesëmarrja në forcën e punës

Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 60,5 %, ndërsa për burrat ky tregues është 77,2 %. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 16,7 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është ulur me 1,4 pikë përqindje dhe për burrat është ulur me 0,5 pikë përqindje.

Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 51,0 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 77,8 %. Punësimi Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 60,2 %. Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i katërt i vitit 2019 në tremujorin e katërt të vitit 2020, është -3,4 %.

Në terma vjetorë, punësimi ulet me 2, 8 % në sektorin e bujqësisë, me 5,3 % në sektorin e shërbimeve dhe me 0,5 % në sektorin e industrisë. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e katërt 2020, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u ul me 2,2 %. Punësimi u rrit në sektorin e industrisë dhe bujqësisë përkatësisht me 1,4 % dhe 1,0 % ndërsa pësoi ulje në sektorin e shërbimeve me 6,4%.

Shkalla e punësimit për burrat është 67,8 %, ndërsa për gratë 52,9 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019, shkalla e punësimit për burrat është ulur me 0,7 pikë përqindje dhe për gratë u ul me 1,9 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 40,0 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2020, shkalla e punësimit është 70,7 %.

Papunësia në rritje

Në tremujorin e katërt 2020, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,8 %. Në terma vjetorë, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,6 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, shkalla zyrtare e papunësisë papunësisë u rrit me 0,2 pikë përqindje. Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 11,7 % dhe për gratë 12,1 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019, shkalla e papunësisë për burrat është rritur me 0,4 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 1,1 pikë përqindje.

Rritet papunësia për të rinjtë

Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 21,7 %. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2019, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e katërt të vitit 2020 është 0,3 pikë përqindje më e lartë. Krahasuar me tremujorin e tretë 2020, shkalla e papunësisë për të rinjtë është rritur me 1,0 pikë përqindje.

Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 9,2 %. Në terma vjetorë ky tregues është rritur me 0,9 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm për këtë grup-moshë shkalla e papunësisë u rrit me 0,2 pikë përqindje.

Rritet dembelizimi

Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020, 18,2 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15- 64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 11,4 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 10,3 % në paaftësi të përhershme. Gjatë tremujorit të katërt 2020, 11,4 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.

Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 68,1 % të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 10,3 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç ky grup përbën 12,7 % të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe./Monitor/

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

191 thoughts on “Të dhënat e INSTAT: Kriza e pandemisë nxori të papunë 43 mijë shqiptarë më 2020-ën

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *