ASH/AAA: Enti i Statistikave po e saboton regjistrimin me mungesën e shqipes në formularin online

Ditëve të fundit, nga mërgimtarë të shumtë, po marrim njoftime të vazhdueshme se formulari online i regjistrimit të popullsisë ka probleme, ndër të cilat edhe se disa pjesë të tij janë vetëm në maqedonisht, gjë që e vështirëson ndjeshëm regjistrimin e mërgatës, që edhe ashtu nuk shquhet me njohje shumë të mirë të maqedonishtes. Kështu të dhënat për komunën, për adresën dhe për profesionet në formular janë vetëm maqedonisht, ku veçmas pjesa për profesionet paraqet vështirësi më të madhe.

Pa dashur të paragjykojmë se a është bërë kjo qëllimisht, që kështu të vështirësohet e të pengohet regjistrimi i mërgatës apo ka dalë rastësisht – nga padija e drejtuesve të Entit të Statistikave, gjë që duhet ta thonë ata, por në kohën kur të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit janë mobilizuar për ta motivuar regjistrimin e mërgatës, të dalin këso pengesa kjo nuk mund të lexohet ndryshe pos si sabotim.
Sidoqoftë, koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA i bën thirrje Entit të Statistikave që ta korrigjojë urgjentisht këtë dhe të mos bëhet arsye të konkludojmë se aty vazhdon avazi i ndërkëmbëzave ndaj shqiptarëve kur flasim për regjistrimin.
Si parti që e kemi mbështetur Ligjin për përdorimin e gjuhëve, por edhe Ligjin për regjistrim, nuk mund të tolerojmë në asnjë mënyrë që dikush të manipulojë me këto të drejta themelore të qytetarëve, në këtë rast të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut!

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA

Shkup, 21.03.2021

Shpërndaje lajmin me të tjerët
0Shares
0 0 0

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *